Shtëpia Botuese Albas

  • Social Links:

Përmbledhje

  • Sektorët Shërbime
  • Punë të postuara 0
  • Parë 288
jobcenter

Përshkrimi i kompanisë

Shtëpia Botuese ALBAS u themelua në vitin 2000. Që nga fillimet e saj, ALBAS ka pasur dhe vazhdon të ketë si qëllim kryesor botimet shkollore. Me seli në Tiranë, Tetovë, Prishtinë dhe Preshevë, ALBAS-i jo vetëm që e sjell tekstin në gjuhën angleze më pranë nxënësve në rajone të ndryshme gjeografike, por edhe e përshtat atë sipas kërkesave të veçanta të sistemeve arsimore në këto vende.

ALBAS-i e drejtoi potencialin e vet fillimisht në botimin e teksteve shkollore në Maqedoni (2001), Kosovë (2004) dhe më pas, me fillimin e reformës së “Altertekstit” në Shqipëri (nga viti 2005 e në vazhdim), ku vepron me një numër të madh tekstesh shkollore. Në vitet e fundit, edhe në Preshevë, ku janë miratuar nga Ministria e Arsimit tekstet në gjuhën shqipe dhe librat e historisë.

Për lëndë me rëndësi kombëtare, si Gjuha Shqipe dhe Historia e Shqiptarëve, ALBAS ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë me grupe pune që përfshijnë autorë të njohur në këto fusha, me qëllim që këto tekste të kenë një frymë të hapur shqiptare mbarëkombëtare.

Një nga projektet më të mëdha të ALBAS-it (i prezantuar për herë të parë në Panairin e Librit në Tiranë në nëntor 2009 dhe më pas në Prishtinë në mars 2010), është përgatitja e paketës “Abetare mbarëkombëtare”, e hartuar nga një ekip specialistësh didaktikë dhe gjuhëtarësh nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova — një paketë që cilësohet si më e plotë deri më tani për mësimin e gjuhës amtare. Kjo paketë përdoret nga shumë mësues në Maqedoni, Kosovë, Preshevë dhe është pritur mirë edhe në diasporë.

Një tjetër projekt prioritar i ALBAS-it vitet e fundit është “Botimet për parashkollorët”. Ky projekt nisi në vitin 2008 me botimin e paketave të ndryshme didaktike që përmbushin objektivat e kurrikulës për fëmijët e kësaj moshe. Në këtë projekt, ALBAS bashkëpunon me disa shtëpi botuese perëndimore për të sjellë tek fëmijët e vegjël seri librash bashkëkohorë mbi tema aktuale si: Mbrojtja e planetit, Të jemi të sinqertë, Sillju bukur, etj., si dhe libra të tjerë artistikë dhe shkencorë.

Një tjetër projekt në zhvillim, i cili pasurohet vazhdimisht me tituj të rinj, është botimi i teksteve universitare, si dhe librave psikologjikë, letrarë dhe shkencorë.

Në vitet e fundit, ALBAS ka rritur ndjeshëm numrin e titujve që vijnë si rezultat i bashkëpunimeve me botues nga vende të ndryshme, si: Spanja, Franca, Italia, Gjermania, Kroacia, Anglia, Rusia, SHBA, etj.

Në listën e botimeve të ALBAS-it përfshihen mbi 80 tekste shkollore të miratuara nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë, mbi 30 tekste shkollore të miratuara nga Ministria e Arsimit e Kosovës dhe 20 tekste shkollore të miratuara nga Ministria e Arsimit e Maqedonisë. Për lëndët me rëndësi kombëtare, si gjuha shqipe dhe historia e Shqipërisë, ALBAS bashkëpunon me autorë të njohur të këtyre tri vendeve, me qëllim që këto tekste të kenë një frymë sa më të hapur mbarëkombëtare shqiptare.

SMART LLC